Si i verifikojmë shpalljet
Në Shpizo do të shohësh dy etiketa: Agjenci e verifikuar dhe Shpallje e verifikuar. Këtu shpjegojmë çfarë kontrollojmë për secilën, dhe, po aq e rëndësishme, çfarë nuk kontrollojmë.
Çdo shpallje kontrollohet para se të publikohet
Asnjë shpallje nuk del publike vetvetiu. Çdo shpallje, qoftë nga një agjenci apo nga një pronar privat, kalon në moderim para se ta shohë kush. Shpalljet me të dhëna të paqarta ose të pasakta i kthejmë për korrigjim ose i refuzojmë.
Moderimi nuk është verifikim. Ai tregon që shpallja është e plotë dhe e arsyeshme. Etiketat më poshtë tregojnë diçka më shumë.
Agjenci e verifikuar
Kjo etiketë shfaqet pranë emrit të agjencisë. Agjencinë e shënojmë të verifikuar vetëm pasi na ka dhënë numrin e biznesit, një numër telefoni të vlefshëm dhe faqen e saj të internetit.
Etiketa flet për agjencinë, jo për secilën pronë që ajo publikon.
Shpallje e verifikuar
Kjo etiketë shfaqet te vetë shpallja. Para se ta japim:
- shohim dokumentin e pronësisë, ose kontratën me të cilën pronari i ka besuar agjencisë shitjen apo dhënien me qira;
- kontrollojmë që fotot të jenë të kësaj prone, që adresa të përputhet me dokumentin dhe që çmimi të jetë i arsyeshëm për llojin e pronës dhe zonën.
Mungesa e etiketës nuk do të thotë që shpallja është e dyshimtë. Do të thotë vetëm që ky kontroll shtesë nuk është bërë ende.
Çfarë nuk garanton verifikimi
- Nuk e kemi parë pronën me sy. Gjendjen, zhurmën, lagështinë apo pajisjet duhet t'i shohësh vetë.
- Nuk kontrollojmë barrët ligjore (hipotekë, sekuestro, kontest pronësie) përtej dokumentit që na tregohet. Para se të blesh, kërkoje këtë në zyrën e kadastrës ose te noteri.
- Nuk jemi palë në marrëveshje. Shpizo nuk merr pagesë për qira, depozitë apo blerje, dhe nuk ndërmjetëson marrëveshjen mes teje dhe shpallësit.
- Çmimi mund të ketë ndryshuar që nga dita kur e kontrolluam.
Si të mbrohesh
- Shiko pronën para se të paguash çfarëdo shume.
- Mos dërgo depozitë ose paradhënie "për rezervim" para se ta kesh parë pronën dhe ta kesh takuar personin.
- Kërko të shohësh dokumentin e pronësisë dhe krahaso emrin me personin me të cilin po flet.
- Nënshkruaj kontratë me shkrim. Për blerje, kalo te noteri.
- Nëse diçka nuk të duket në rregull, na shkruaj te info@shpizo.com me lidhjen e shpalljes. E shikojmë dhe, kur duhet, e heqim.
Si ta marrë shpallja jote etiketën
Verifikimi është falas. Nëse ke publikuar një pronë dhe do që të shfaqet si e verifikuar, na shkruaj te info@shpizo.com me lidhjen e shpalljes, dhe të tregojmë si të na e tregosh dokumentin.
